Eleftherios Venizelos shpallet “Aeroporti i vitit”
“Aeroporti i vitit” në kategorinë 10-30 milionë pasagjerë është shpallur aeroporti ndërkombëtar i Athinës, Eleftherios Venizelos, në një ceremoni që u zhvillua në Gjenevë nga portali me reputacion botëror “Air Transport News”.
Çmimet e Air Transport News janë të vetmet që vlerësojnë gjithë sektorët kryesorë dhe liderët e sektorit të aeroporteve në gjithë botën.
“2014-a ishte një vit i zhvillimit impresionues për volumin e lëvizjeve në aeroport, në një mjedis tepër të ndjeshëm ekonomik dhe politik. Duke vepruar brenda krizës afatgjatë, aeroporti ndërkombëtar i Athinës “Eleftherios Venizelos” mundi t’iu përgjigjet me sukses sfidave, të mbrojë modelin e vet të biznesit dhe te vazhdojë krijimin e vlerave në të gjithë nivelet”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i aeroportit ndërkombëtar të Athinës, Janis Paraschis.