Konferencë për Ballkanin perëndimor në Berlin
Nevojën që të zgjidhet urgjentisht mosmarrëveshja midis Greqisë dhe FYROM, “me predispozicion për kompromis nga të gjitha palët”, kanë theksuar pjesëmarrësitnë konferencën për Ballkanin Perëndimor që organizoi në Berlin qeveria gjermane.
“Pjesëmarrësit nënvizojnë nevojën që të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur problemet dypalëshe, në interes të marrëdhënieve të fqinjsësisë së mirë dhe të stabilitetit në rritje të rajonit... Mosmarrëveshja për emrin midis FYROM dhe Greqisë përbën një nga këto probleme. Pjesëmarrësit pajtohen se kjo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet urgjentisht, me predispozicion për kompsomis nga të gjitha palët”, thuhet në deklaratën e përbashkët që u publikua nga kancelaria në përfundim të konferencës.
Gjatë takimit, ku merrnin pjesë presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm dhe të ekonomisë nga Gjermania, Austria, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia, FYROM, Kroacia dhe Sllovenia, por edhe presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, u ra dakord që të intensifikohen gjatë katër viteve të ardhshëm përpjekjet e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
Gjithashtu, u komunikua se konferenca e vitit 2015 do të mbahet në Salsburg të Austrisë dhe ajo e vitit 2016, në Francë.
“Duam të përshpejtohet procesi i integrimit europian. Vendet kandidate për anëtarësim kanë shënuar progres. Duam të shkëmbejmë përvoja dhe të dëgjojmë nga përfaqësuesit e vendeve ballkanike cilat janë pritshmëritë e tyre”, deklaroi kancelarja Angela Merkel gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me zotin Barroso dhe kryeministrin e Shqipërisë, si kryesuese e procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), Edi Rama.
ANA/MPA