Kryeministri Edi Rama pergezon kryeministrin e ri te greqise Aleksi Tsipra
Kryeministri Edi Rama ι dergoi leter pergezimi kryeministrit te ri grek Aleksis Tsipras. Ne vijim kemi teksti:
I dashur Zoti Tsipras,
Nëpërmjet zgjedhjeve të lira konform traditës më të mirë te demokracisë helene dhe europiane, populli grek Ju ka mirëbesuar , përtej mundësisë për të formuar një qeveri të re, shpresën e tij për të rigjetur besimin në politikat publike dhe sensin e solidaritetit mbarëkombëtar.
Fqinje e mirë dhe mbështetëse e përparimit të kombit mik grek, Shqipëria ka bindjen se kjo përgjegjësi historike dhe vullneti i padiskutueshëm me të cilin Ju dhe ekipi Juaj jeni të pajisur, do t’Ju udhëheqë në mënyrë sa më të ktjellët në veprimet që do të ndërmerrni në ditët dhe javët në vazhdim për të rimëkëmbur Greqinë.
Dashamirë dhe të gatshëm për të ndikuar nëpërmjet bashkëpunimit tonë të pareshtur në gjetjen e zgjidhjeve pragmatike për stabilizimin ekonomik dhe financiar të mbarë rajonit, jemi plot shpresë se situata e re politike në Greqi, përbën një rast për një hov të ri të vendit Tuaj, në kuadrin e një Europe më të përgjegjshme, më solidare, më vizionare.
Sepse bashkëndajmë në thelb nevojën e rizgjimit të një projekti europian më social dhe më gjithëpërfshirës, në të cilin integrimi është një solidaritet konkret i çdo momenti dhe që nuk bazohet mbi një Europë të qendrës dhe një Europë të periferive dhe getove, do të kishte qënë një kënaqësi për mua t’ju kisha takuar dhjetorin e kaluar, siç edhe ishte parashikuar.
Organizimi në urgjencë i zgjedhjeve e bënë këtë takim të pamundur. Rezultati i tyre, e bën këtë takim tashmë të domosdoshëm.
Ju pres në Tiranë ne momentin më të përshtatshëm për Ju. Deri atëherë Ju uroj shumë sukses në sfidat e menjëhershme me të cilat do t’Ju duhet të përballeni dhe së bashku me Ju, i përcjell urimet më të mira ekipit dhe bashkatdhetarëve Tuaj.