Moody’s rivlerëson ekonominë greke
Rivlerësimin e aftësisë paguese afatgjatë të Greqisë, me dy nivele, nga Caa3 në Caa1, me perspektivë të qëndrueshme, komunikoi agjencia e vlerësimit financiar Moody’s.
Në arsyetimin e vendimit të vet, Moody’s i referohet përmirësimit të konsiderueshëm të pozitës fiskale të Greqisë dhe vlerësimit se qeveria mbetet e përkushtuar në përshtatjen fiskale. Në bazë të këtyre vlerësimeve, agjencia parashikon uljen graduale të raportit të borxhit me GDP-në, që pritet të kulmojë sivjet dhe të nisë uljen nga 2015.
Agjencia Moody’s i referohet më tej përmirësimit të perspektivës së ekonomisë greke, që bazohet sa në rimëkëmbjen ciklike, aq edhe në progresin që u shënua në promovimin e reformave dinamike dhe ekuilibrimin e ekonomisë.
Në fund, agjencia i referohet interesit të ulët të kostos së borxhit për buxhetin dhe anasjelltas, në shtimin e maturimit të tij, që përforcojnë kapacitetet fiskale dhe reduktojnë risqet e financimit.
Agjencia kishte avancuar për herë të fundit në rivlerësimin e Greqisë në nëntor 2013, duke e vendosur në nivelin Caa3 nga C dhe perspektivën në të “qëndrueshme”. Në të kundërt, nuk kishte publikuar vlerësimin për Greqinë në prill 2014, ashtu siç pritej. Por pak ditë më vonë, më 29 prill, kishte avancuar në rivlerësimin e sistemit bankar grek, nga “negativ” në të “qëndrueshëm”.
Edhe agjencia Fitch kishte rivlerësuar Greqinë nga B- në B, në maj 2014.
ANA/MPA