Tkurren investimet e huaja, Greqia mbetet partneri kryesor
Kapitali i huaj në vendin tonë ka pësuar një rënie në vitin 2013. Këtë e thonë të paktën të dhënat zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Kështu ndonëse vitet e fundit flukset hyrëse të investimeve kanë qenë pozitive, rënia, me sa duket, është shkaktuar, nga tërheqja e një pjese të investitorëve të huaj apo nga tërheqja e pjesshme e kapitaleve të tyre, për shkak të krizës që po kalojnë në vendet e tyre të origjinës.
Kështu, në fund të vitit 2013, stoku i investimeve të huaja kishte vlerën e 2.85 miliardë eurove, në rënie me 12.5% krahasuar me vitin 2012. Në strukturën e kapitalit të huaj, duket qartë se më shumë nga kriza është prekur më shumë sektori prodhues, duke filluar nga industria nxjerrëse, një ndër aktivitetet më tërheqëse të investimeve në vitet e fundit. Stoku i investimeve në këtë degë ka rënë në 732 milionë euro, afro 10% më pak krahasuar me vitin 2012.
Po kështu është prekur dhe industria përpunuese, ku stoku i investimeve ka kaluar në vlera negative me 184 milionë euro, nga një balancë pozitive prej 388 milionë eurosh që ishte në fund të vitit 2012. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, tërheqja e investimeve ka përfshirë industrinë e veshjeve dhe atë të përpunimit të metaleve. Në vlera negative të investimeve ka kaluar edhe sektori i energjisë elektrike, për një vlerë prej 33 milionë eurosh. Në rënie graduale vit pas viti është edhe stoku i investimeve në sektorin e tregtisë, që ka zbritur në vlerën e 117 milionë eurove, më pak se gjysma e shumës së vitit 2008.
Aktivitetet ekonomike që kanë regjistruar rritje të gjendjes së investimeve janë degët e shërbimeve, që lidhen kryesisht me telekomunikacionet dhe me sektorin financiar. Investimet në degën e transport-komunikacioneve kanë prekur vlerën e 690 milionë eurove, në rritje me afro 50 % që nga viti 2012. Stoku i investimeve në sektorin financiar ka arritur vlerën e 780 milionë eurove, në rritje me 3.5% krahasuar me vitin 2012.
Investimet e huaja sipas shteteve
Ndonëse shteti grek prej disa vitesh po vuan një krizë të thellë ekonomike dhe borxhesh, ai kryeson në Shqipëri përsa i përket stokut të investimeve të huaja direkte për vitin 2013. Me një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013, me një rritje prej 40% në raport me një vit më parë, shteti ynë fqinj mban vendin e parë. Investimet kryesore të këtij shteti janë në fushën e telekomunikacioneve.
Në vend të dytë është Kanadaja, me një stok prej 797 milionë euro dhe rritje prej 13% me bazë vjetore, me investime kryesore në fushën e industrisë nxjerrëse (naftës). E treta është Austria, me 378 milionë euro, por me rënie prej 2.2%, në krahasim me një vit më parë, me investime kryesisht në shërbime financiare dhe energji. E katërta është Holanda, me një stok investimesh të huaja prej 350 milionë euro, rritje 17% me bazë vjetore, kryesisht në energji. Më pas renditet Turqia, me 279.3 milionë euro (rritje 19% me bazë vjetore) dhe Gjermania, me stok 107 milionë euro (16% zgjerim në raport me një vit më parë).
Gazeta Dita, 1 Tetor, 2014