Tsipras: Në interesin e të gjithëve arritja e një marrëveshjeje
Optimist se do të arrihet një marrëveshje me partnerët mbi bazën e projektit grek që i prezantoi kancelarit austriak, Werner Faymann gjatë takimit në Vjenë, u shpreh kryeministri Aleksis Tsipras në konferencën e përbashkët për shtyp.
Kryeministri tha se deri më sot nuk ka dëgjuar një propozim alternativ ndaj këtij projekti dhe se nuk beson, siç tha, se ekziston ndonjë arsye serioze që të mos ketë marrëveshje ndërmjet Greqisë dhe partnerëve. Tsipras tha se qeveria greke ka paraqitur një plan realist, sepse ajo nuk ka ndërmend që të konfrontohet me partnerët, por të punojë fort, me qëllim që të garantohet një e ardhme e përbashkët europiane, me kohezion social, me solidaritet dhe prosperitet. Kryeministri përsëriti se kriza në Europë nuk është një veçanësi greke, është krizë europiane, dhe rrjedhimisht nevojitet një zgjidhje e përbashkët europiane, dhe të gjithë kanë interes të konkludohet në një marrëveshje me dobi reciproke, theksoi Tsipras.
Nga ana e vet, kancelari austriak, Werner Faymann, theksoi se objektiv i përbashkët i Austrisë dhe i Greqisë është që në fund të këtij viti dhe vitet e ardhshme, gjithë anëtarët e eurozonës të vazhdojnë të jenë pjesë e saj, sepse është esenciale për Bashkimin Europian, siç tha, të synojë dhe të ketë një monedhë të përbashkët.
Siç vuri në dukje Faymann, në bisedime u theksua teza se angazhimet dhe kuadri duhet të respektohen, ndërsa nuk do të duhet të ketë kosto shtesë për taksapaguesit. Kancelari austriak vërejti se kjo deri tani nuk po ndodh dhe prandaj do të duhet të gjendet një rrugë.