Tsipras: Plan koherent europian për emigracionin
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, me anë të një deklarate, u ka bërë thirrje qeverive të vendeve anëtare të BE për hartimin menjëherë të një plani koherent me qëllim që të përballohet kriza humanitare me të cilën po ndeshet Europa nga flukset e emigrantëve dhe refugjatëve.
Deklarata e plotë e kryeministri ka si më poshtë:
“Tragjedia e re humanitare me qindra të vdekur pranë brigjeve të Lampeduzës, na mbush me trishtim dhe shqetësim. Askush prej nesh nuk mund të qëndrojë indiferent kur qindra shpirtra humbasin në detin Mesdhe, në përpjekjen e tyre për t’u larguar nga lufta dhe varfëria.
Europa nuk mund t’i referohet vlerës supreme njerëzore, nëse nuk mobilizohet që të ndalojë kjo tragjedi e vazhdueshme. Të pushojë Mesdheu së qeni një det – varrezë dhe vendet mesdhetare të Jugut të Europës depo shpirtrash njerëzorë. Mesdheu ishte dhe duhet të bëhet sërish vetëm djep qytetërimi, tregtie, komunikimi, humanizmi. U bëj urgjentisht thirrje qeverive të vendeve anëtare të BE për hartimin e menjëhershëm të një plani koherent për krizën humanitare me të cilën po përballemi. Një plan që duhet të ketë tre nivele:
a) Përmirësim të strukturave të menaxhimit të emigracionit dhe kërkim-shpëtimit në Mesdhe
b) Mbështetje të vendeve europiane mesdhetare që pranojnë flukse emigrantësh dhe refugjatësh shumë më të mëdha se kapacitetet e tyre, me një shpërndarje të drejtë të barrës në nivel ndihme ekonomike dhe akomodimi
c) Iniciativa diplomatike për një zgjidhje paqësore të konflikteve në Siri, në Irak dhe në Libi, si dhe për përballimin rezultativ të xhihadizmit.
Kisha një komunikim telefonik me kryeministrin e Italisë, zotin Renzi, me qëllim që të shporeh ngushëllimet e mia për viktimat e kësaj ngjarjeje tragjike dhe mbështetjen time ndaj propozimit të tij për një thirrje të menjëhershme të një samiti europian për çështjen e menaxhimit të emigracionit në Mesdhe. Paralelisht, përsërita propozimin që kisha bërë për një konferencë të liderëve të vendeve mesdhetare të BE, me qëllim që vendet të cilat influencohen më drejtëpërdrejtë nga ky fenomen, të koordinohemi më mirë për evidentimin e këtij problemi në nivel europian. Nuk ka kohë tjetër për të humbur. Zvarritjet na kushtojnë me jetë njerëzish”.