UNESCO ndërmjetëson në kërkesën e Greqisë për kthimin e skulpturave të Partenonit
Një delegacion grek, i përbërë nga përfaqësues të ministrive të kulturës dhe të jashtme, si dhe nga presidenti i Muzeut të Akropolit, u takua më 1 dhe 2 tetor, në kuadër të “Komisionit ndërqeveritar të UNESCO-s për rikthimin e objekteve kulturore në vendet e origjinës”, me përfaqësues të qeverisë britanike si dhe të Muzeut Britanik, me qëllim që të diskutohet çështja e skulpturave të Partenonit, një çështje që ndodhet në rend të ditës që nga viti 1984.
Sipas njoftimit të ministrisë së kulturës, gjatë takimit, u diskutua edhe ftesa që UNESCO i drejtoi qeverisë britanike pas kërkesës së palës greke në vitin 2013, me qëllim që të fillojë ndërmjetësimi mbi bazën e rregullave të UNESCO-s. Ftesa ishte bërë në gusht 2013 dhe deri më tani nuk është dhënë përgjigje nga pala britanike.
Siç vihet në dukje në njoftimin e ministrisë së kulturës, kërkesa e drejtë e Greqisë për kthimin dhe ribashkimin e skulpturave të Partenonit, por edhe ftesa e UNESCO-s u mbështetën nga shumë shtete, me deklarata gjatë mbledhjes së komisionit ndërqeveritar.
Takimi ndërmjet përfaqësuesve grekë dhe britanikë konkludoi në një rekomandim që u mbështet nga plenumi i komisionit ndërqeveritar. Ky rekomandim e fton Britaninë që të shqyrtojë propozimin për ndërmjetësim të UNESCO-s, me qëllim që të zhvillohen më shumë takime në shërbim të zgjidhjes së kësaj çështjeje.
ANA-MPA