Varufakis: Duam një kontratë të re me partnerët
Takimi i ministrit të financave, Janis Varufakis me homologun e tij francez Michel Sapin, pasditen e të dielës në Paris, u zhvillua në një atmosferë miqësore. Ministri i financave shpjegoi se ajo që synon qeveria greke është “një kontratë e re”, që vetë ai do të donte ta quante “kontratë sociale”.
Varufakis iu përgjigj pyetjeve të gazetarëvem duke përsëritur se nuk është prioritet sigurimi i menjëhershëm i këstit të radhës të kredisë dhe e krahasoi Greqinë me narkomanin që për pesë vjet priste dozën e vet.
Sipas grafikut që prezantoi, qeveria greke kërkon një periudhë “frymëmarrjeje” deri në fund të shkurtit për të finalizuar propozimet e veta analitike për reformat, krizën humanitare dhe borxhin.
Në vazhdim dhe për një gjashtëmujor, synon të kontaktojë dhe diskutojë me institucionet dhe partnerët për krijimin e një “konkrate të re sociale”. Janis Varufakis vuri gjithashtu në dukje se objektivi është që procesi të përmbyllet deri në fund të majit, pasi menjëherë pas këtij afati Greqia ka detyrime me bonde ndaj Bankës Qendrore Europiane.
Ministri francez i financave, deklaroi kënaqësinë e tij për takimin e punës me zotin Varufakis, që zgjati më shumë se dy orë dhe që e cilësoi si esencial. Sapin garantoi për vullnetin e Francës që “të shoqërojë” qeverinë e re greke në përpjekjet e veta.
Sipas Michel Sapin, bindja e tyre e përbashkët bazohet në katër elementë: Fillimisht Greqia është dhe do të mbetet në Eurozonë, objektiv i përbashkët është zhvillimi, posaçërisht për Greqinë që ka humbur 25% të GDP-së ky zhvillim të vijë përmes investimeve dhe në fund, një sistem tatimor eficent dhe i drejtë.
Për reformanën tatimore, Michel Sapin deklaroi se propozoi forcimin e bashkëpunimit me qeverinë greke dhe se ve në dispozicion të saj shërbimet e ekspertëve.