Ambasada e Greqisë në Shqipëri organizon eventin për prezantimin e Udhërrëfyesit të parë të Sipërmarrjes Greko-Shqiptare, «HELLENIC – ALBANIAN BUSINESS Relations INDEX»
Ambasada e Greqisë në Shqipëri organizon eventin për prezantimin e Udhërrëfyesit të parë të Sipërmarrjes Greko-Shqiptare, «HELLENIC – ALBANIAN BUSINESS Relations INDEX», më 26 Janar 2016 dhe në orën 17:30, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.
Bëhet fjalë për regjistrimin dhe prezantimin e parë sistematik të sipërmarrjeve greke në Shqipëri, të cilat ushtrojnë aktivitetin në sektorin bankar, telekomunikacionit, teknologjisë informative, tregtisë, industrisë, shëndetësisë, arsimit, ndërtimit, materialeve të ndërtimit, etj. Në këtë kuadër, Udhërrëfyesi i Sipërmarrjeve Greko-Shqiptare do të përbëjë një vegël të vlefshme dhe dinamike për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë si edhe realizimin e investimeve të reja greke në Shqipëri, ku, tashmë, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kalojnë ¼ e stokut total të investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Greqia, me një total të investuar kapital prej € 1.169,41 milion, përbën investitorin e parë në Shqipëri, duke mbështetur zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, të ardhurat tatimore, punësimin, transferimin e teknologjisë, arsimin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Pjesa e parë e Udhërrëfyesit të Sipërmarrjeve Greko - Shqiptare përfshin përshkrimin sipërmarrës, në tri gjuhë (Greqisht, Shqip, Anglisht), si edhe informacion të plotë për të dhënat e kontaktit të një numri të konsiderueshëm të sipërmarrjeve greke dhe greko-shqiptare, që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Pjesa e dytë, përmban informacion të dobishëm të interesit ekonomik, tregtar dhe sipërmarrës dhe u drejtohet sipërmarrjeve greke që dëshirojnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre sipërmarrëse në Shqipëri. Pas prezantimit zyrtar, Udhërrëfyesi do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të Zyrës për Çështjet Ekonomike & Tregtare të Ambasadës së Greqisë në Tiranë (www.agora.mfa.gr/al51), ndërsa po programohet edhe botimi në formë të printuar si edhe krijimi i aplikacionit për telefona celularë. (IOS dhe Android).
Eventin do ta përshëndesë Ambasadori i Greqisë në Shqipëri, z. Leonidas Rokanas dhe Zëvendës Kryeministri i qeverisë Shqiptare, z. Niko Peleshi. Folës kryesor do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ekonomike dhe Bashkëpunimit të Zhvillimit i Ministrisë së Jashtme Greke, z. Georgios Tsipras, ndërsa fjalimet e Presidentit të Shoqatës së Sipërmarrjeve Greke në Shqipëri, z. Perikli Droukgas dhe të Presidentit të Rrjetit të Përgjegjësisë Sociale Korporative (Corporate Social Responsibility Network) të Shqipërisë, z. Adamantios Fratzis do të shprehin këndvështrimin dhe çka ka ofruar dhe ofron komuniteti i sipërmarrjeve greke në Shqipëri. Në këtë event do të jenë prezent, përfaqësues të Qeverisë Shqiptare, përfaqësues të komunitetit sipërmarrës dhe atij diplomatik.
Pas prezantimit të Udhërrëfyesit do të ndjekë edhe një cocktail.
Invitation in English
Programme in English
Application form in English
Poster with sponsors in English