Ambasadori grek z. L. Rokanas presantoi prioritetet e Presidences greke te BE
Ambasadori grek z. L. Rokanas: Zgjerimi është prioritet
Ambasadori Greqisë në Tiranë Leonidas Rokanas, së bashku me ambasadorin e BE-së Ettore Sequi dolën në një konferencë të përbashkët për median, me rastin e marrjes nga Greqia të presidencës së BE-së.
Pavarësisht se ambasadori Rokanas e cilësoi zgjerimin, si një prioritet kyç të BE-së ai nuk i dha përgjigje pyetjes përse pikërisht zgjerimi, nuk është në listën e prioriteteve të presidencës greke.
Top Channel e pyeti ambasadorin përse Greqia nuk ishte firmëtare e letrës së 8 vëndeve drejtuar Katherinë Ashton ku kërkonin dhënien e statusit Shqipërisë. Rokanas duke dhënë një përgjigje tejet diplomatike u shpreh se Europa duket të flasë me një zë sic foli me vendimin e Këshillit të Ministrave të mbledhjen e dhjetorit.
Ndërsa për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Rokanas deklaroi se Greqia do të ndjekë linjën europiane për këtë apo çështje të tjera duke mos u bërë pengesë.
Rokanas nuk pranoi të komentoi zhvillimet e fundit në Shqipëri për personat e akuzuar nga prokuroria për korrupsion por të liruar nga gjykata, por tha se nuk është roli i presidencës europiane të kritikojë për këtë aspekt.
Më herët Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Ettore Sequi shprehu bindjen se Greqia do të luajë një rol të rëndësishëm në përpjekjet integruese të Shqipërisë.
"BE e ka theksuar se dialogu mes opozitës dhe maxhorancës për reformat që kanë të bëjnë me integrimin do të jetë kyç në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian", u shpreh Sequi.