Deklaratë e Kryeministrit z Aleksis Cipras për rezultatin e referendumit britanik
Pa diskutim që sot është një ditë e vështirë për Europën. Përpjekja për integrimin europian mori një goditje të rëndë.
Vendimi i popullit britanik është i respektueshëm , por ai po vërteton një krizë të thellë politike, krizë identiteti dhe strategjie për Europën.
Dhe ky rezultat nuk erdhi si një rrufe në qiell të pastërt. Mesazhet ishin dërguar prej kohësh dhe prej drejtimeve të shumta dhe të ndryshme. Rritja shpërthyese që njohu ekstremi i djathtë dhe forcat nacionaliste në Europën Veriore dhe Qëndrore e kishin parathënë një zhvillim të tillë negativ.
Opsionet ekstreme të masave shtrënguese zgjeruan hendekun e pabarazive, si ndërmjet vendeve të Europës Veriore dhe asaj Jugore, ashtu dhe brënda vetë vendeve europiane.
Këtu ndikoi edhe menaxhimi a la carte i krizës së refugjatëve, kufijtë e mbyllura, gardhet dhe veprimet e njëanshme.
Mospranimi i ndarjes së përgjegjësive dhe të detyrimeve , si kundrejt krizës së borxheve ashtu edhe për krizën e refugjatëve, kishin dhënë ndërkohë sinjalin e një krize të zgjeruar të nismës europiane.
Sot të gjithë e kemi për detyrë të shqetësohemi. Së pari dhe kryesorja, të pyesim veten:
Cili është shkaku i lindjes së krizës europiane?
Kush është përgjegjës për përhapjen e nacionalizmit dhe të ekstremit të djathtë, të cilët përbëjnë majën e shpatës së izolacionistëve?
Defiçiti i demokracisë, imponimi i dhunshëm i opsioneve të padrejta antipopullore, stereotipet përçarëse që e ndajnë Europën në Veriun punëdashës dhe të arësyeshëm dhe në Jugun gjoja dembel dhe mosmirënjohës, kishin si përfundim një përçarje të thellë politike dhe shoqërore.
Popujt në vendet e Europës Veriore mendojnë se po paguajnë për shpërdorimet e vendeve të Europës Jugore, ndërsa popujt në vendet e Europës Jugore me të drejtë mendojnë se Veriu nuk po tregohet solidar, por i penalizon. Kështu që hendeku po thellohet vazhdimisht.
Në këtë mënyrë, ndjesia e përspektivës së përbashkët dhe të së ardhmes së përbashkët të popujve europianë, ia lëshojnë vendin kthimit tek gjoja siguria e llogoreve nacionale. Tek izolimi kombëtar. Por kjo është një rrugë pa krye.
Referendumi britanik, ose do të jetë alarmi i rizgjimit nga gjëndja prej somnambuli që po ecën në boshllëk, ose do të jetë fillimi i një rrugëtimi shumë të
rrezikshëm dhe rrëshqitës për popujt tanë.
Dhe pikërisht për këtë arësye, ne na duhet që të ndryshojmë menjëherë kurs, na duhen ndryshime të thella, demokratike dhe përparimtare në Europë. Na duhet të ndryshojmë koncepte, mentalitete dhe në fund, të ndryshojmë edhe politikat.
Dhe këtë duhet ta bëjmë që të ngremë një gardh përballë euroskepticizmit dhe ekstremit të djathtë, që të ringrejmë edhe një herë themelet e Europës mbi parimet e demokracisë, të lirisë, të barazisë dhe të solidaritetit.
Na duhet më shumë se kurrë një kundërsulm i madh i forcave përparimtare europiane që t’i thotë ‘’ ndal ‘’ marshimit të ekstremit të djathtë dhe të nacionalizmi
t, të cilët gjejnë terren pjellor në kushtet që u krijuan prej masave shtrënguese dhe veprimtarisë së shfrenuar të tregjeve.
Kemi nevojë për një aleancë të madhe përparimtare, me qëllim që Europa të rigjejë vrullin e saj, të rigjejë vlerat mbi të cilat u krijua dhe që e bënë që të zinte një vend të dukshëm në botën e sotme: Mbrojten e punës, përkrahjen e shtetit social, solidaritetin europian, mbrojtjen e të drejtave personale dhe shoqërore.
Sepse këto ditë u vërtetua që mendimet fodulle dhe arrogante të burokratëve jo vetëm që nuk emocionojnë, por përkundrazi, i irritojnë popujt europianë.
Pikërisht pra, për këtë arësye, ne na duhet urgjentisht një vizion i ri dhe një start i ri për Europën e Bashkuar. Një vizion i ri, jo për më pak Europë . Por jo ama edhe për një Europë më shumë autarkike, më shumë të centralizuar.
Ne na duhet një vizion i ri për një Europë më të mirë. Për një Europë sociale dhe demokratike, për një Europë, në të cilën politika do të rimarrë prej ekonomisë dhe prej burokratëve, frenat e drejtimit.
Kemi nevojë për një Europë, në të cilën popujt e saj do të kenë fjalën e fundit dhe sovrane. Pikërisht për këtë Europë, ia vlen që të luftojmë. Sepse ia vlen që të luftojmë dhe të përpiqemi për të ardhmen tonë të përbashkët.