Kryebashkiaku i Selanikut-''Qytetar Nderi'' i Durrësit
Një nga sheshet e qytetit bregdetar të Durrësit, që nga dita e sotme, do të mbajë emrin “Selaniku” në nderim të miqësisë dhe bashkëpunimit që ka nisur mes dy qyteteve.
Po të hënën, Bashkia e Durrësit i ka dorëzuar edhe titullin “Qytetar Nderi” kreut të Bashkisë së Selanikut Janis Butaris i cili u shpreh i bindur në forcimin e marrëdhënieve mes dy qyteteve.
“Falenderoj kryetarin e Bashkisë, qytetarët e Durrësit që më bënë këtë nder dhe më dhanë këtë titull. Kryetari Dako iu referuar lidhjeve mes qytetit të Durrësit dhe Selanikut gjatë gjithë historisë. Detyrë e dy qyteteve është që t’i bëjmë këto lidhje sa më të ngushta, sa më të forta që qytetet tona të bëhen sa më të forta dhe të dukshme në zonën e Ballkanit”, tha kreu i Bashkisë së Selanikut, Janis Butaris.
Një vit më parë, sheshit përballë stacionit të trenit në Selanik iu vu emri “Durrësi-Shqipëria”, gjë që ngjalli reagime të forta nga ekstremistët grekë dhe protesta kundër kryebashkiakut Butaris i cili tha se sa herë të dëmtohet pllaka me emrin e sheshit, po aq herë do të rregullohet për të përjetësuar marrëdhëniet e mira mes dy popujve tanë.
Edhe kryebashkiaku Vangjush Dako vlerësoi miqësinë mes dy qyteteve të lidhura që në lashtësi nga rruga Egnatia dhe projektet e përbashkëta në dobi të zhvillimit dhe të qytetarëve të Durrësit dhe Selanikut.
“I vëmë këtij sheshi emrin e Selanikut, qyteti është është kryeqendër e kulturës ballkanike dhe europiane, zemra e Epirit dhe porta e Egjeut, metropol i lashtësisë dhe i referencës së Greqisë. Ndaj duke iu bazuar asaj që na ka dhënë historia dhe pozita gjeografike, atyre raporteve që na lidhin, unë jam i lumtur të kem nga sot emrin e këtij qyteti në këtë vend. Ftoj mikun tim, bashkëqytetarin tonë të vyer nga sot, Janis Butaris të zbulojmë së bashku pllakatën me mbishkrimin e sheshit”, tha Dako.
Në Selanik jeton një komunitet prej 70 mijë emigrantësh shqiptarë të mirintegruar në jetën e qytetit dhe që ndjehen të vlerësuar nga marrëdhëniet e vendosura dhe mbrojtja e tyre nga kryebashkiaku Butaris i cili deklaroi se është me origjinë nga Voskopoja.
Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, z. Butaris zhvilloj takime me Kryeministrin z. Edi Rama, me zv. kryeministrin z. Niko Peleshi, me Kryetarin e Parlamentit z. Ilir Meta, me Kryebashkiakun e Tiranës z. Luzim Basha, me zv. kryetarin e Parlamentit z. Vangjel Dule dhe me Kryepeshkopin Anastas Janullato.