Merkel shpreh admirimin për rrugën e vështirë të Greqisë
Admirimin e madh të kancelares gjermane Angela Merkel për rrugën e vështirë të Greqisë, ka shprehur zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, duke iu referuar vizitës së kancelares në Athinë, që do të realizohet më 11 prill.
“Kancelarja është shprehur në mënyrë të përsëritur dhe publikisht se sa me admirim e sheh ecurinë e Greqisë, se ajo personalisht është e vetëdijshme se sa e vështirë është për pjesë të mëdha të popullit grek kjo rrugë, e cila ndërkaq tregon tani sukseset e para. Dhe prandaj është një shans i mirë për të folur direkt me zotin Samaras dhe me të tjerë”, deklaroi Seibert dhe, në përgjigje të një pyetjeje, tha se “nuk nevojitet një arsye specifike” për të vizituar zonja Merkel Greqinë, ndërsa iu referua bashkëpunimit të ngushtë të të dy vendeve. “Greqia është një partneri ngushtë i Gjermanisë, ekziston një bashkëpunim i ngushtë. Gjatë periudhës së krizës së euros, ky bashkëpunim ishte veçanërisht i ngushtë”, deklaroi.
Zëdhënësi i kancelares tha se takimi i zonjës Merkel me kryeministrin Samaras do të bëhet të premten pasdite në Athinë. I pyetur nëse Merkel do të takohet edhe me shefin e opozitës, Aleksis Tsipras, Seibert tha se programi i plotë i vizitës nuk është ende i disponueshëm, por sqaroi se do të jetë një vizitë për kontakte me qeverinë greke dhe me faktorët ekonomikë të vendit.