Ministri e Drejtësisë Nënshkruhet marrëveshja, Shqipëria anëtare e Organizatës për Drejtësi
Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, nënshkroi dje një marrëveshje bashkëpunimi me Organizatën Evropiane të së Drejtës Publike (EPLO). Në këtë organizëm marrin pjesë 30 shtete partnere mes tyre dhe 6 shtete të cilat janë pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa sipas ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, ky anëtarësim do të shërbejë që Shqipëria të përmirësojë reformat në drejtësi duke shkëmbyer eksperiencat më të mira nga EPLO. Të pranishëm gjatë ceremonisë së nënshkrimit ishin Presidenti i EPLO, prof. Spyridon Flogaitis, si dhe Ambasadori i Greqisë në vendin tonë, z. Leonidas Rokanas.
Organizata Evropiane e së Drejtës Publike është themeluar si një organizatë ndërkombëtare. Qëllimi i Organizatës është krijimi dhe përhapja e njohurive në fushën e së drejtës publike duke përfshirë të drejtën publike kombëtare, krahasuese dhe evropiane, të drejtat e njeriut, të drejtën mjedisore, etj., si edhe promovimin e vlerave evropiane me anë të së drejtës publike anembanë botës. Për shkak të rëndësisë që paraqet dhe fushës që mbulon, aderimi në këtë marrëveshje është shumë i rëndësishëm për Republikën e Shqipërisë. “Duke pasur në fokusin e saj mbështetjen në aktivitetet shkencore, kërkimore, arsimore, trajnuese, mësimdhënëse, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve dhe aktivitete të tjera, në ofrimin e ndihmës për institucionet demokratike në Evropë dhe në të gjithë botën, unë shpreh bindjen time se pjesëmarrja në këtë organizatë do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme jo vetëm në forcimin e kapaciteteve administrative, por dhe në nxitjen e reformave, që po ndërmerren në sistemin e drejtësisë, lidhur me proceset integruese të Shqipërisë, me fokus të veçantë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, – u shpreh pas nënshkrimit të marrëveshjes ministri Naço.