Saturday, 23 November 2024
greek albanian
Ambasada e Greqisë në Tiranë
Fillimi arrow Rreth Nesh arrow Ambasada e Greqisë në Tiranë arrow Lajmet rreth Ambasades arrow Nikos Kazantzakis - Udhëtim nëpër Italy, Egypt, Sinai, Jerusalem, Qipro, More

Nikos Kazantzakis - Udhëtim nëpër Italy, Egypt, Sinai, Jerusalem, Qipro, More

Monday, 28 April 2014

Nikos Kazantzakis - Udhëtim nëpër Italy, Egypt, Sinai, Jerusalem, Qipro, MoreAshtu siç mbaron një udhëtim, dhe ti trishtohesh dhe nuk do të kthehesh më në realitetin e përditshëm, monoton, ashtu trishtohesh edhe kur mbaron së lexuari një libër të bukur, edhe kur përkthen një libër të bukur, dhe aq më tepër akoma kur libri që ti përkthen të çon në vende të panjohura që ti nuk ke pasur mundësinë të shkosh dhe të cilat mbeten në ëndrrat e tua si sfida për të ardhmen. Të udhëtosh me Kazantzaki-n është një eksperiencë e papërsëritshme dhe e rrallë për këdo...

Seria e veprave “Udhëtime”, që Nikos Kazantzaki na ka lënë si thesar në dorë, janë një nga pjesët më të bukura të gjithë krijimtarisë së tij letrare. Është fakt i njohur se shpirti i tij nuk mund të gjente qetësi në vatrën e tij, Greqinë. Ai duhej të shikonte më shumë për ta vënë veten përpara një prove shumë të madhe - Shpirti i tij duhet të përballej me të gjitha shpirtrat e botës, dhe me gjasa, ashtu siç shprehen surrealistët, të gjente korrespondenca... Ai i gjeti këto korrespondenca, jo të gatshme, por duke i gërmuar ato në tokat që shkeli, duke përpirë sytë që pa, duke prekur gurët ku shkeli, duke ndier aromat që e dehën dhe njëkohësisht e ndërgjegjësuan më tepër për shumëllojshmërinë e botës ku jetojmë. Ai nuk do të ishte një shkrimtar i madh e i padiskutueshëm nëse dora e tij nuk do të shkruante e ndikuar nga vendet ku shkoi. Mendja njerëzore, sado e mprehtë dhe e formuar qoftë, ka nevojë të zgjerojë horizontet e saj. Përplasja me realitete të ndryshme, me kultura e qytetërime të ndryshme, me histori e zhvillime të ndryshme, e ndihmon mendjen të çikë horizonte të reja ngacmuese... Këtë Kazantzaki e dinte mirë, se besimi i tij nuk do të konsolidohej nëse ai nuk do të nisej për udhë...

Ne, njerëzit e thjeshtë, nuk jemi si ai, në këndvështrimin praktik, të sakrifikojmë jetën tonë, përditshmërinë tonë, për të kuptuar sadopak veten. Sepse udhëtimet e shkrimtarit grek nuk kishin qëllim tjetër përveç se Kazantzaki të vihej përballë Kazantzaki-t, por jo në tokën helene, por tekdo... Dhe Kazantzaki të kuptonte përfundimisht se nuk besonte në asgjë, nuk kishte frikë nga asgjë dhe ishte i lirë...

Po ne, çfarë do të kuptojmë duke lexuar udhëtarin Kazantzaki? Në gjuhën shqipe e kemi lexuar dhe bashkë me të jemi gjendur në njëfarë mënyre në Kinë dhe Japoni, në Malin e Shenjtë. Tani, ndodhemi në Itali, Egjipt, Jerusalem, Sinai, More... Udhëtimi është i gjatë, i vështirë, kërkon përqendrim dhe durim. Por në fund të fundit, ia vlen.

Cili do të jetë përfundimi ynë? Do të ndihemi të lirë, duke mohuar frikën dhe shpresën, apo do të ndihemi të lirë duke i pranuar ato, por me kushtin e vetëm që rruga jonë drejt Itakës të jetë e realizueshme deri në fund?