Rama: “Mirënjohje Greqisë Për Mbështetjen Në Përparimin E Axhendës Evropiane!”
Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim, kryetarin e Parlamentit të Greqisë Vangelis Meimarakis, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Duke shprehur kënaqësinë e ndërsjellë për këtë takim, të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët për konsolidimin e tyre të mëtejshëm.
Kryeministri Rama u shpreh se vizita e zotit Meimarakis në Tiranë, edhe në kuadër të nismës Adriatiko-Joniane, i shërben forcimit të urave të bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta mes vendeve të rajonit.Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë dhe vijon t’i japë Shqipërisë për përparimin e axhendës evropiane.
Ndërsa Meimarakis, teksa rikonfirmoi se Greqia mbështet plotësisht përpjekjet e Shqipërisë për integrim në BE, u shpreh se një nga objektivat e Presidencës greke të Këshillit të BE, është që Shqipëria deri në muajin qershor të ketë një raport pozitiv për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Biseda u përqendrua mbi zhvillimet rajonale ku u theksua se bashkëpunimi i frytshëm mes vendeve të rajonit, i shërben prosperitetit të vendeve, si dhe ruajtjes dhe forcimit të paqes dhe stabilitetit. (Burimi ATSH)