Rokanas - Naço: Koordinim për ekstradimin e të dënuarve shqiptarë në Greqi dhe anasjelltas
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, priti sot në një takim Ambasadorin e Greqisë, Leonidha Rokanas. “Jam i nderuar t’ju takoj dhe ju uroj për detyrën tuaj! Ritheksoj mbështetjen e Greqisë ndaj Shqipërisë në arritjen e objektivit të integrimit europian. Më i rëndësishëm dhe strategjik për ne në raport me Shqipërinë, është padyshim projekti energjitik TAP. Gjithashtu, Greqia ka impaktin e saj në ekonominë tuaj përmes remitancave, por ka edhe bashkëpunim në kulturë e të tjera fusha.”- u shpreh në fjalën e tij Ambasadori Rokanas. Ministri i Drejtësisë shprehu falenderim për mbështetjen e dhënë nga Greqia në disa fusha në Shqipëri, duke theksuar se forcimi i bashkëpunimit në drejtësi është mëse i mirëpritur.
“Do të doja të forconim marrëdhëniet tona në sektorin e drejtësisë dhe kërkojmë asistencën tuaj edhe në këtë drejtim, për forcimin e sistemit gjyqësor. Ne e kemi nisur luftën ndaj korrupsionit edhe me anën e një pakete ligjore kundër korrupsionit, ku mendojmë të përfshijmë në listën e krimeve të rënda edhe rastet e korrupsionit të zyrtarëve të sistemit të drejtësisë. Shumë shpejt, pritet të nisë një reformë e thellë në sistemin penitenciar ose atë të burgjeve, prandaj do të jetë e nevojshme të koordinojmë punën për ekstradimin e të dënuarve shqiptarë në Greqi, që të mund të kryejnë dënimin në vendin e tyre”, u shpreh Ministri Naço.
Ambasadori Rokanas vijoi në të njëjtën çështje, atë të ekstradimit të të dënuarve grekë në shtetin shqiptar. “Edhe pse ky është një problem burokratik dhe jo thelbësor në raportet tona, unë do të kërkoja nga ju një përshpejtim të procedurave të ekstradimit të të dënuarve grekë në Shqipëri, pra kthimin e tyre në Greqi për të vuajtur dënimin, pasi ka raste kur këto procedura zgjasin deri në 2 vjet.”- nënvizoi Rokanas. Ai mori mbështetjen e ministrit për thjeshtim të procedurave në këtë aspekt.
Ministri Naço, gjithashtu, i bëri me dije ambasadorit grek, se reformat në drejtësi janë në fillimin e tyre, por do të prekin disa aspekte. Konkretisht, tha ai, do të zgjerohet sistemi i mbikqyrjes elektronike, duke u shtrirë në të gjithë vendin, do të çohet më tej reforma e nisur në Shërbimin e Provës, do të ndryshojë sistemi i vlerësimit të gjyqtarëve, do të ketë ndryshime në ligjin për KLD me qëllim shmangien e mbivendosjes së punës së dy inspektoriateve përkatëse, atij të Ministrisë së Drejtësisë dhe të KLD etj.
“Mendoj se është një hap shumë i rëndësishëm ndryshimi i ligjit për KLD, pasi është thelbësore pavarësia institucionale, gjë që ndikon edhe në pavarësinë e gjykimit. Nga ana tjetër, ju them se edhe Greqia ka patur probleme më parë në lidhje me shkurtimin e kohës së gjykimit dhe drejtësinë efektive. Prioritet i vendit tuaj tani është marrja e datës së negociatave, që është më e rëndësishme sesa vetë marrja e statusit kandidat në BE. Por për marrjen e këtij vendimi, thelbësore janë: lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar”, theksoi Rokanas.