Samaras: Brenda 7 vjetësh Greqia kthehet në nivelet para krizës
Vizionin e tij për “Zhvillimin Kombëtar” prezantoi kryeministri Antonis Samaras, duke theksuar se brenda shtatë vjetësh vendi do të rikthehet në nivelet para krizës, me rritje të PPB, krijimin e 700 mijë vendeve të punës dhe rrjedhjen prosperitetit tek qytetarët. Në të njëjtën kohë Samaras sulmoi opozitën dhe përsëriti dilemën e eurozgjedhjeve: Stabilitet dhe zhvillim apo kthim në krizë dhe në peripeci.
“Greqia deri në vitin 2010 do të ketë rifituar prosperitetin që kishte para krizës”, tha kryeministri dhe shtoi se “tash e tutje, ditë pas dite, muaj pas muaji, situata do të përmirësohet për njerëzit e thjeshtë, do të gjejnë më shumë punë, bizneset do të kenë financim dhe pa memorandume dhe masa shtrënguese. Masat tatimore do të reduktohen. Që sivjet fillon zhvillimi. Në 2015 zhvillimi do të jetë 2,9% dhe në 2016 3,7%”. Për të argumentuar këto shifra, kryeministri iu referua studimeve të organizmave ndërkombëtarë dhe analizave të qendrave të pavarura studimore.
Kryeministri iu referua mundësive të zhvillimit në shtatë vitet e ardhshme në turizëm, në sektorin primar, në energji, në kërkime dhe teknologji, që do të mund të sigurojnë 700 mijë vende pune dhe të rritin prodhimin e përgjithshëm të brendshëm me më shumë se 230 miliardë euro, që ishte maksimumi para krizës.
Turizmi mund të ofrojë 16,5 miliardë euro më shumë dhe 315,000 vende pune. Kërkimi dhe teknologjia 2 miliardë euro dhe 50.000 vende pune. Ka edhe sektorë të tjerë, tha Samaras, që nuk janë përfshirë në studimet dhe që kanë hapësira edhe më të mëdha përmirësimi. Kryeministri bëri një referencë të veçantë për sinergjitë ndërkombëtare dhe investimet që po bëjnë kompani të mëdha në Greqi.
Prioritetet kryesore
“Besoj se zhvillimi do të jetë më i shpejtë dhe prosperiteti do të vijë në vendin tonë, nëse nuk bëjmë të njëjtat gabime”, theksoi Samaras dhe rreshtoi prioritetet kryesore:
- Ulje të papunësisë. Ka filluar faktikisht, por në katër vitet e ardhshme do të krijohen 550.000 vende pune dhe brenda shtatë vjetësh Greqia do të gjendet nën mesataren europiane për papunësinë. Rritja e punësimit do të sjellë dhe rritjen e pagave.
- Ulje e tatimeve. Do të ulim gjithandej koeficentët tatimorë, edhe në taksat direkte, edhe ato indirekte. Mirëpo do të bëhet me kujdes që mos të cënohen suficitet primare dhe paralelisht me luftimin e evazionit fiskal. Në fitimin e ndërmarrjeve, koeficenti maksimal do të jetë 15%. Në të ardhurat koeficenti më i lartë mos të kalojë 33% dhe TVSH në 12%. Goditja ndaj evazionit fiskal ka filluar faktikisht.
- Ulje e kostos në sektoroin e bujqësisë. Prodhimi bujqësor ka vështirësi në kosto, në raport me kompetivitetin me botën e jashtme. Që nga 1 korriku do të ketë ulje të kostos së sigurimeve shoqërore për emigrantët e ligjshëm. Legalizim të kullotave me rishikimin e kushtetutës. Po hapet rruga që të marrë prodhuesi financime më të lira. Do të hapet rruga për përpunimin e produkteve bujqësore brenda në vend.
- Likuiditet për biznesin. Me rikapitalizimin, sistemi bankar është absolutisht kredibël dhe depozitat absolutisht të sigurta. Bankat po gjejnë vetë kapitale në tregjet ndërkombëtare dhe i kanë kaluar testet e rezistencës. Sa rehabilitohet kredibiliteti ndaj ekonomisë greke, po aq rikthehen depozitat dhe shtohen mundësitë e likuiditetit.
- Promovim i reformave. Goditja ndaj burokracisë ka filluar ndërkaq. Sa avancojmë vijnë edhe investime, pse tani u krijojmë lehtësi, nuk i dëbojmë. Po godasim evazionin fiskal me kontrollet, me verifikimet, me kompensimin e detyrimeve. Vendi po bëhet miqësor për investimet, që në të kundërt do të shkojnë gjetkë.
Kryeministri iu referua në mënyrë të posapme edhe iniciativës për rishikimin e kushtetutës: stabilizimit të sistemit zgjedhor, mospërputhje midis postit të deputetit dhe të ministrit, kufizim kohor i mandatit, madje dhe për kryeministrin e vendit.
Dua një Greqi që nuk është e vetmja në Europë e cila ndalon universitetet private, tha kryeministri. Po luftojmë që të thyejmë barrierat e sektorit publik. Dua një Greqi që të jetë shembulli i shtetit, i demokracisë dhe prospritetit, një vend ku njerëzit e vet do të kenë të ardhme, një Greqi të fuqishme, nyje të transportit ndërkombëtar. Kjo është Greqia që ëndërrojmë të gjithë. Tani po e ndërtojmë me hapa të qëndrueshëm përpara, ditë pas dite.
ANA-MPA