Samaras për agjencinë reuters: “Greqia po rikthehet”
Greqia po shqyrton mundësinë e emetimit të një bondi brenda tre muajve të ardhshëm, duke kapërcyer më të këqijat e krizës së borxhit, ka deklaruar në një intervistë për agjencinë Reuters kryeministri Antonis Samaras.
“Greqia po rikthehet. Para dy vjetësh gjendeshim në epiqendrën e destabilitetit financiar në rajon dhe ishim një vend i destabilizuar në një rajon relativisht të qëndrueshëm. Tani situata është krejtësisht e ndryshme: Greqia u stabilizua, sa politikisht, aq edhe ekonomikisht “.
Duke iu referua mundësisë së emetimit të një bondi, kryeministri deklaroi: “Koha e këtij emetimi varet nga rrethanat e tregut dhe nuk e kemi përjashtuar mundësinë që të rikthehemi në tregje gjatzë gjashtëmujorit të parë të 2014-s”.
“Arritëm në fund dhe tani po fillojmë ngjitjen. Jemi vetëm në fillimin e një ecurie ngjitëse... Fjalët më të rëndësishme në këtë moment janë stabiliteti dhe zhvillimi. Nuk duhet ta humbas kursin tim, do të vazhdoj drejt, nuk do të devijoj aspak”, përsërit kryeministri.
“Imazhi ndërkombëtar i Greqisë gjithashtu ka ndryshuar. Ekziston një psikologji tjetër dhe kjo është një ndiesi e re që po krijohet në Greqi dhe prandaj them se Greqia po rikthehet”, deklaron Antonis Samaras.
ANA-MPA/-