Toponimet, mpj e shqipërisë dhe greqisë: zgjidhja, deri në janar 2015
Toponimet, MPJ e Shqipërisë dhe Greqisë: Zgjidhja, deri në janar 2015. Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë kanë rënë dakord për mënyrën e zgjidhjes së çështjes së toponimeve në pasaportat e fëmijëve të lindur në shtetin helen. Në një deklaratë zyrtare, bëhet e ditur se gjatë një takimi në Bruksel, palët u pajtuan në mendimin se është e nevojshme që këto toponime të shprehen në mënyrë uniforme, me qëllim që të shmanget konfuzioni. Palët ranë dakord se një adresim tek katalogët zyrtarë, që secili vend ka paraqitur tek mekanizmat përkatës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, janë mënyra më e sigurt dhe e duhur për zgjidhjen e kësaj çështjeje, që ka rezultuar me probleme për një numër të konsiderueshëm shtetasish.
Ministria e Punëve të jashtme njofton se gjatë periudhës tranzitore, deri në përgatitjen e dokumenteve të reja, do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve në kufirin e dy vendeve bazuar në praktikën ekzistuese të “moratoriumit”. Ministrat angazhohen të ndërmarrin të gjithë hapat e masat ligjore dhe administrative për zbatimin e kësaj procedure, jo më vonë se data 1 janar 2015.