Venizelos takon Ramën: Marrja e statusit të Shqipërisë, prioritet kyç i presidencës greke
Kreu i diplomacisë greke, Evangelos Venizelos ka mbërritur në Tiranë, ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare dy ditore. Ai ka mbërritur rreth orës 18:00 në aeroportin e Rinasit, dhe agjendën e takimeve e ka nisur me një takim me kryeministrin Edi Rama. Kryeministri Rama i shprehu gatishmërinë e Qeverisë shqiptare për t’i dhënë përmasa të reja bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në gjithë fushat, në kuadër të miqësisë e të fqinjësisë së mirë dhe të partneritetit strategjik.
Në fokus të bisedës ishte perspektiva evropiane e Shqipërisë, për të cilën Kryeministri Rama u shpreh besimplotë për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në muajin qershor, gjatë Presidencës greke të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, Kryeministri Rama e njohu Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë edhe me reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit.
Venizelos vlerësoi angazhimin e Qeverisë shqiptare dhe e siguroi Kryeministrin Rama se marrja e statusit të Shqipërisë gjatë Presidencës greke të BE-së është një prioritet kyç i kësaj presidence.
Madje, zoti Venizelos i ofroi Kryeministrit Rama mbështetjen për bashkëpunim edhe nivel në teknik, me ekspertë të vendit të tij, për të përshpejtuar procesin e afrimit të Shqipërisë me BE-në.